Subjektet politike në Kosovë janë në fazën finale të përpilimit të listave me kandidatët e tyre për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.

“Vetëvendosje” është subjekti i parë politik që publikoi listën prej 110 deputetësh. Bartës i listës së “Vetëvendosjes” është lideri i saj Albin Kurti.

Renditja e kandidatëve për deputetë në listën e “Vetëvendosjes” është bërë sipas alfabetit.

Dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK e kanë deklaruar të mbyllur listën me deputetë, mirëpo të enjten nuk i publikuan ato.

Burime brenda këtyre dy partive thonë se akoma po shqyrtohet plotësimi i listave me emra të rinj. Krejt c’ka dihet nga PDK është se bartës i saj do të jetë kryetari Hashim Thaçi.

Sa i përket listës së LDK-së, ajo nuk do të pësojë shumë ndryshime, këtë herë të paktën jo në pesëshen e parë. Kryetari i LDK-së Isa Mustafa publikoi të mërkurën në emisionin “Top Shoë” gjashtë kandidatët që do t’i prijnë listës së kësaj partie.

Ata janë Isa Mustafa, Sabri Hamiti, Ismet Beqiri, Nekibe Kelmendi, Teuta Sahatcija, Eqrem Kryeziu. Renditja e kandidatëve për deputetë, sipas burimeve partiake në LDK, do të bëhet sipas numrit të votave që kanë marrë në zgjedhjet e 2007-ës.

Me më shumë risi në këto zgjedhje del Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndryshe nga lista me deputetë e zgjedhjeve të 2007-ës, këtë herë të paktën dhjetëshen e parë e përbëjnë emra të rinj.

Kjo edhe për shkak të aderimeve të shumta që janë bërë në këtë parti. Bartës i listës është kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i dyti në listë është djali i Ibrahim Rugovës, Uka, i ndjekur nga Donika Kada, Blerim Shala dhe Ardian Gjini.

Dhe për t’ua liruar vendin Ukë Rugovës dhe Bujar Bukoshit, dy nënkryetarët e parë të AAK-së Naim Maloku e Ahmet Isufi kanë zbritur në listë për 100 numra.

Kështu, Maloku në listën për deputet mban numrin 100, ndërsa Ahmet Isufi është i fundit në listë.

Në momentet e fundit një pjesë e kandidatëve për deputetë nga radhët e AAK-së u bë edhe Nexhmedin Spahiu.

Spahiu në zgjedhjet lokale të 2009-ës ishte kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës nga radhët e koalicionit AKR-LDD.

AAK e ka quajtur listën e saj, ‘Lista e Fitores”. Ora 24 :00 e së enjtes është afati i fundit  ligjor për t’i dorëzuar listat e kompletuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Top Channel