Veliaj: Heqjen e vizave e arritëm të fundit

11/11/2010 22:05

Erjon Veliaj vlerëson se heqja e regjimit të vizave nuk mund të quhet një arritje nga ana e qeverisë.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Veliaj ka theksuar se Shqipëria ishte e fundit në Ballkan, bashkë me Bosnjen, që përfitoi heqjen e vizave.

“Të konsiderosh sukses pjesëmarrjen në një garë, do të thotë se duhet të kesh lënë të tjerë mbrapa. Kë kemi lënë mbrapa ne këtu, që të rrahim fortë gjoksin?”, ka deklaruar Veliaj.

Ish-kryetari i G99 ka hedhur poshtë akuzat e mazhorancës, se opozita ka pasur një sjellje të papërgjegjshme ndaj këtij procesi.

Më e papërgjegjshme sipas tij, është treguar mazhoranca e cila ka vendosur cmime të larta për kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike.

“Të thuash se një subjekt nuk duhet të bëjë protesta sepse do vijnë të huajt, është absurde. Opozita ka marrë kritika dhe u qëndron atyre. Por disa veprime të qeverisë, si vendosja e cmimit të kuponit për kartën e identitetit dhe pasaportat është i papranueshëm. Edhe ambasadori i BE edhe ai amerikan kritikuan qeverinë”, ka pohuar Veliaj.

“Pra, nëse në këtë rast kemi të bëjmë me një heqje barriere, përse nuk heqim edhe barrierat që kemi mes nesh?”, është shprehur ai.

Më tej ai ka shtuar se është përgjegjësi e qeverisë aktuale dhe e qeverive të mëparshmë përse heqja e regjimit të vizave u bë kaq vonë.

Top Channel