Bushati: Liberalizimi, vullnet i fortë i BE-së

11/11/2010 22:10

Ditmir Bushati, deputet i Partisë Socialiste, ka deklaruar se liberalizimi i vizave është një fitore e rrallë për Shqipërinë, por falë një vullneti të fortë politik të BE-së për integrimin e gjithë Ballkanit.

“Kjo është fitore historike për qytetarët shqiptarë. Kishte një vullnet të fortë politik nga ana e BE-së për integrimin e gjithë Ballkanit dhe ky proces nuk duhet konsideruar i përfunduar pa heqjen e vizave edhe për Kosovën”, u shpreh Bushati në emisionin Top Story në Top Channel.

“Ky është një proces që ka filluar që nga 2003 dhe politika shqiptare duhet të kishte vepruar më mirë sepse duhej ta kishim fituar shumë më shpejt liberalizimin dhe jo të fundit së bashku me Bosnjën”, vazhdoi ai.

Sipas tij “të gjitha qeveritë nga 2003 kanë dhënë kontributin e tyre në këtë proces. Duhet të përshëndesim gjithashtu ekspertët që kanë ndihmuar në këtë proces, por që janë harruar ose janë të papunë. Shpresojmë që qytetarët shqiptarë, kur të kthehen nga vizitat e tyre nëpër Europë të jenë më kerkues ndaj qeverisë.”

Top Channel