Iniciativa Evropiane për Stabilizim, IES, ka prezantuar në Berlin rekomandimin për fillimin e dialogut mes BE-së dhe Kosovës për heqjen e vizave.

“Duam të influencojmë tek Brukseli, në mënyrë që Kosova të mos trajtohet ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit perëndimor”, ka deklaruar Besa Shahini, analiste dhe një nga hartueset e këtij dokumenti.

Ajo ka nënvizuar se, ndërsa qytetarët e vendeve të tjera të rajonit kanë të drejtë të lëvizin të lirë në hapësirën Schengen, Kosova ende nuk e ka një dokument zyrtar që do ta drejtonte në këtë proces.

“Edhe pse Këshilli i Ministrave të BE-së e ka dhënë që në dhjetor të vitit të kaluar dritën jeshile për fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave, Komisioni ende nuk e ka hartuar udhërrëfyesin për Kosovën, por thotë se së shpejti do të ketë një strategji për liberalizimin e vizave”, ka shtuar Shahini.

Top Channel