Wikileaks, skandali i diplomacisë botërore

30/11/2010 18:55

Wikileaks është kryefjala e ditës në botë. Publikimi i më shumë se 250 mijë dokumenteve sekretë që hapin magazinat e nëndheshme të diplomacisë amerikane kanë pushtuar tashmë vendin e parë në të gjithë lajmet në rruzullin tokësor.

Ajo që po shfaqet dhe sipas gjasave do vazhdojë të shfaqet në ditët dhe javët e ardhshme është një foto nudo e diplomacisë sekrete amerikane. Aty ndodhen të gjitha komunikimet e 250 ambasadave amerikane në të gjithë botën.

Aty tregohet për llogaritë e detajuara të korrupsionit nga regjimet e huaja, dërgesat e fshehta të armëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe shumë informacione të tjera.

Disa materiale janë të bazuara në intervista me burime lokale, ndërsa të tjerat janë përshtypjet e përgjithshme dhe njoftime të shkruara nga zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Materialet janë hartuar në përgjithësi nga ambasadorët apo vartësit e tyre.

Si filloi historia?

Një kartë memorie, jo më e madhe se sa dy thonj njeriu, mbërriti në fillim të vitit në duart e njërit prej gazetarëve të “The Guardian”.

Pajisja ishte aq e vogël sa mund të vihej në qafë edhe si varëse dhe askush nuk do të dyshonte për të, por përmbajtja e saj është konsideruar një “bombë” që do të tronditë të gjitha kancelaritë e botës. Ajo është goditja më e madhe që i është bërë ndonjë herë diplomacisë amerikane.

Bëhet fjalë për një material 1.6 gigabajt që përmban miliona fjalë, më shumë se 250 mijë tekste dhe dokumente të rrjedhura nga arkivat sekrete amerikane.

Ushtria amerikane dyshon se personi që ka shkaktuar rrjedhjen më të madhe të informacionit në historinë e njerëzimit është Bradley Manning, një analist i shërbimit sekret. 22-vjeçari, është mbajtur në izolim për shtatë muajt e fundit dhe do përballet me një gjyq ushtarak në vitin e ri. Ai është i dyshuar për marrjen e kopjeve të arkivit jo vetëm nga Departamenti i Shtetit, por edhe video të ushtrisë. Në deklaratat e para, për të shpjeguar këtë ndërmarrje, Manning ka thënë se informacioni duhet të jetë i lirë, dhe se ai i përket opinionit publik.

Çfarë është Wikileaks?

Wikileaks është një organizatë mediatike jofitimprurëse që ka si mision publikimin e dokumenteve zyrtare të siguruara nga burime sekrete.

Kryesisht bëhet fjalë për dokumente sekrete të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të gjitha strukturave të tjera amerikane. Ajo drejtohet nga australiani Julian Assange, i cili është person në kërkim nga Shërbimet Sekrete amerikane.

Duke nisur nga viti 2006 kur u themelua, Wikileaks ka publikuar qindra mijëra dokumente sekrete amerikane për shumë shtete të botës. Në tetor organizata publikoi 400 mijë dokumente sekrete amerikane për luftën në Irak. Kjo solli pothuajse shkatërrimin e imazhit të ushtrisë dhe politikave amerikane në rajon.

Dy ditë më parë, Wikileaks nisi të publikoi dokumente të reja që hedhin dritë mbi marrëdhëniet e SHBA-së me shtetet e tjera të botës, informacione sekrete për aktivitete nga më të ndryshmet dhe dokumente që tregojnë diplomacionë e fshehtë amerikane.

Wikileaks dhe Shqipëria

Dokumentet sekrete të Wikileaks përfshijnë edhe Shqipërinë. Bëhet fjalë për një numër të madh dokumentesh sekrete, materialesh të nisura nga Ambasada Amerikane në Tiranë dhe materialet të nisura nga shërbimet sekrete amerikane në vendin tonë. Dokumentet janë duke u publikuar minutë pas minute dhe një numër i madh gazetarësh, studiuesish, politikanësh dhe qytetarësh të zakonshëm po presin me ankth se çfarë do të dalë prej tyre.

Në dosjen gjigante me më shumë se 250 mijë dokumente ndodhen 452 materiale të përgatitura nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Një kërkim i shpejtë në morinë e dokumenteve tregon se 223 herë fjala “Shqipëri” ndodhet në titullin kryesor të dokumentit.

Të gjitha dokumentet pretendohet se janë origjinale dhe janë marrë nga arkivat sekrete amerikane. Wikileaks thotë se nuk ka redaktuar apo ndryshuar asnjë prej këtyre dokumenteve. Qeveria amerikane reagoi me anë të Sekretares së Shtetit Hillari Klinton, duke e dënuar publikimin e këtyre materialeve që dekonspirojnë dhe rrezikojnë jetën e punëtorëve të diplomacisë dhe inteligjencës amerikane në botë.

Cfarë do ndodhë me Wikileaks?

Në ditën kur Wikileaks, faqja e internetit që po trondit qeveritë më të mëdha botërore, njoftoi për publikimin e dokumenteve sekrete që tregojnë marrëdhëniet e “fshehta” mes qeverive të ndryshme, serverët e saj janë bërë të paarritshëm. Wikileaks zakonisht shkon offline pak orë para publikimit të dokumenteve sekrete për t’u dhënë kohë ngarkimit të tyre. Por ato nuk u hapën kurrë më.

Duke parashikuar këtë gjë, Wikileaks ka shpërndarë informacionin në pesë gazetat më të mëdha në botë. Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange, ka zgjedhur “The Guardian” në Britani; “New York Times” në SHBA, “Le Monde” në Francë, “El País” në Spanjë dhe “Der Spiegel” në Gjermani për të shpërndarë informacionin e tij.

Materiali i është dhënë këtyre gazetave që në fillim të vitit dhe ato kanë pranuar që do ta mbajnë të fshehtë deri në datën e caktuar. Të dielën pasdite ishte orari final dhe këto gazeta kanë filluar të publikojnë informacionin në faqet e tyre online.

Top Channel