Basha: Gati evakuimet

30/11/2010 20:25

Banorët e zonave të përmbytura dhe ku niveli i ujit pritet të shtohet më tej për shkak të reshjeve të shumta, pritet të evakuohen.

Kjo është ndër pikat që kryeson paketën e masave të vendosura në mbledhjen e shtabit të emergjencave në Shkodër ku ministri i Brendshëm Basha u kërkoi qytetarëve të bashkëpunojnë me grupet e ngritura për këtë qëllim.

“Nga mbledhja u vendos evidentimi dhe evakuimi i banorëve, së dyti për një shtim të pranisë policore dhe ushtarake për të ndihmuar banorët, së treti për një ndërhyrje për thellimin e kanaleve dhe ndërtimin e argjinaturave. Së katërti për evakuimin e banorëve më të rrezikuar”, është shprehur Basha.

Ministri i Brendshëm ka inspektuar zonën e përmbytur dhe kërkon angazhim maksimal nga të gjitha strukturat e ngritura për të kapërcyer këtë situatë që po përsëritet për të disatën herë në Shkodër dhe zonat përreth brenda më pak se një viti.

Ndërkohë në Shkodër, banorët po përgatiten për më të keqen. Rreshjet e ditëve të fundit kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit.

Në dy prej hidrocentraleve të kaskadës në atë të Komanit dhe në atë të Vaut të Dejës, niveli i ujit është shumë pranë pikës kritike.

Sipas të dhënave të Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, aktualisht po shkarkohet ujë vetëm nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Në liqenin e këtij hidrocentrali niveli i ujit shënon 73,71 metër, vetëm një metër e gjysmë larg pikës maksimale të lejuar prej 75 metrash.

Prurjet në këtë hidrocentral janë 600 metër kubë për sekondë dhe shkarkimet 1520 metër kubë ujë për sekondë.

Në hidrocentralin e Komanit niveli i uji ka arritur në 172,64 metër, ndërsa kufiri maksimal i lejuar është 175 metër. Prurjet në këtë hidrocentral janë 1250 metër kubë për sekondë.

Ndërkaq më e qetë duket situata në hidrocentralin e Fierzës ku niveli i ujit shënon 228,5 metër nga 296 që është niveli maksimal i lejuar.

Sipas KESH ka më shumë se një javë që kanë vazhduar shkarkimet nga Vau i Dejës. Por duket se këto shkarkime do të vazhdojnë dhe në ditët në vijim, nisur nga rreshjet e vazhdueshme të shiut dhe faktit që në Vaun e Dejës derdhën dhe ujrat që shkarkohen nga 2 hidrocentralet e tjerë.

Top Channel