Shkodër, Berisha: Gjendje e fatkeqësisë natyrore

01/12/2010 11:20

Qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonën e Shkodrës, e cila prej ditësh është goditur nga moti i keq, nga shkarkimi i hidrocentraleve që kanë sjellë përmbytje e bllokime në shumë fshatra.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Sali Berisha deklaroi se evakuimi i popullatës, sidomos në zonën e Nënshkodrës dhe të Livadheve do të vazhdojë me shpejtësi, ndërsa theksoi se gjendja deri tani po menaxhohet mirë.

Berisha theksoi se aktualisht ka një prurje të madhe të lumenjve nga Alpet, si dhe në Kaskadën e Drinit, gjë që ka bërë shkarkim të detyrueshëm nga portat e Vaut të Dejës, për të mbajtur të sigurta digat dhe hidrosistemin.

Aktualisht në zonë janë dislokuar forca të ushtrisë me të gjithë mjetet e nevojshme, të transportit tokësor, si edhe ato lundruese.

“Ne do të përpiqemi të zvogëlojmë në maksimum dëmet e këtyre përmbytjeve”, tha Berisha.

Top Channel