Shkodër, përmbytjet bllokojnë qytetin

02/12/2010 09:00

Situata në qytetin e Shkodrës mëngjesin e sotëm është shumë e rënduar. Sipas gazetarëve të TCH në terren, është e pamundur që të kalohet në hyrje të lagjes Xhabije dhe në rrugën nacionale për shkak se niveli ujrave të liqenit ka shkuar në një metër.

Gjatë natës shumë banorë janë larguar me shpejtësi nga zona për t’i shpëtuar ujrave.

Me qindra banesa në katet e para janë nën ujë, ndërsa kanë dalë jashtë funksionit kabinat elektrike.

Lagje të tëra në Shkodër të cilat kanë prezencë uji janë të bllokuara.

Ujrat kanë bllokuar hyrjen e qytetit të Shkodrës duke e bërë të pakalueshme, ndërsa mësohet se uji ka bllokuar lëvizjen edhe në urën e lumit Buna, për shkak se lumi tani kalon mbi urë.

Sipërfaqja e përmbytur po zgjerohet me shpejtësi në qytet, ndërsa po kaq e rëndë është situata edhe në zonën e nënshkodrës e cila u përmbyt e para.

E vetmja mundësi komunikimi për banorët e Shkodrës është rruga nga Vau i Dejës dhe nga Malësia e Madhe, rrugë që nuk janë përmbytur.

Top Channel