Përmbytjet, Rama: Berisha përgjegjës

02/12/2010 14:00

Situata e fundit e krijuar në Shkodër dhe akuzat për përgjegjësi të qeverisë për dëmet e krijuara kanë qenë thelb i deklaratës së sotme të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama.

Duke bërë fajtor direkt për përmbytjet e radhës në Shkodër kryeministrin Sali Berisha, Rama u shpreh se e gjithë gjendja e krijuar është pasojë e një qeverie të ardhur në pushtet me vota të vjedhura.

“Saliu tha se përmbytja e janarit ndodh 1 herë në 100 vjet, por në fakt brenda këtij viti zona është përmbytur 5 herë. Përmbytjet nuk ndodhin për faj të Zotit, apo për shkak të harbimit të lumenjve, por janë problem direkt i qeverisjes. Shkodra si e gjithë Shqipëria nuk qeveriset, sepse nuk ka një qeveri të shqiptarëve, por një cetë të kusarëve, të atyre që vodhën votat për të vjedhur Shqipërinë”, tha Rama.

Sipas tij, qeveria që po qëndron mbi kutinë e mbyllur duke mos punuar për shqiptarët.

“Në 12 muaj përmbytja është kthyer në normë. Njerëzit kanë parë se pushteti ka bërë premtime dhe nuk i ka mbajtur ato”, tha Rama.

Kreu socialist kërkoi nga Berisha që të mos hedhë baltë mbi flamurin, por të japë sqarime se përse ndodhin situata të vazhdueshme përmbytjesh në Shkodër dhe përse nuk zgjidhen punët e këtij vendi.

“Berisha nuk ka vizion, program, filozofi qeverisëse në funksion të qytetarëve dhe po ashtu nuk ka para”, theksoi Rama.Kreu i opozitës kërkoi largimin e kryeministrit Sali Berisha për t’i lënë rrugë të lirë zgjidhjes së problemeve qe kane zaptuar Shqiperine.

Top Channel