Wikileaks, Turdiu: s’kemi frikë

02/12/2010 20:15

Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme shqiptare, Gazmend Turdiu ka deklaruar për Top Channel se Shqipëria nuk i druhet publikimit të dokumentave në faqen Wikileaks.

Megjithatë, ai shprehet se të gjithë janë kuriozë për përmbajtjen e dosjeve.

“Absolutisht jo. Jam i sigurt që institucioni im nuk ka asgjë për të fshehur. Jam kurioz të shoh se cfarë Wikileaks publikon, por nuk jam i shqetësuar”, ka deklaruar Turdiu.

Deklaratën e tij Turdiu e ka bërë nga Gjeneva, ku po zhvillohet një samit mes vendeve që kanë probleme me minat anti-njeri.

Zyrtari shqiptar ka bërë të ditur se gjatë këtij samiti është takuar me homologë grekë, me të cilët ka diskutuar për raportet mes dy vendeve dhe jo për marrëveshjen e anuluar për kufirin e ujërave.

“Kemi folur për marrëdhëniet, në kuadër të konsultimeve të rregullta të dy shteteve mike. Nuk kemi folur fare për marrëveshjen e rrëzuar. Gjithcka që është thënë lidhur me cështjen e rrezimit të paktit të kufirit detar nuk janë të vërteta”, ka shtuar Turdiu.

Top Channel