Mustafaj: Shqipëria nuk trembet nga ‘Wikileaks’

02/12/2010 20:20

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Besnik Mustafaj, u shpreh se Shqipëria nuk ka arsye të trembet nga dokumentet sekrete të publikuara nga ‘Wikileaks’.

“Shqipëria nuk ka pse të trembet sepse në këtë periudhë ku shtrihen dokumentat e ‘Wikileaks’, Shqipëria nuk ka qenë shumë e përfshirë në organizatat ndërkombëtare. Mendoj se nuk kemi arsye pse të druhemi”, u shpreh Mustafaj.

Përsa i përket bisedimeve sekrete me amerikanët për çështjen e ujgurëve, Mustafaj u shpreh se “ka pasur bisedime sekrete me amerikanët dhe ujgurët kanë ardhur në mënyrë të fshehtë në Shqipëri”, por nuk pranoi të zbulonte bisedimet.

Në lidhje me dokumentet që kanë të bëjnë me Kosovën, ish-ministri i jashtëm shqiptar theksoi: “Do ishte interesante të dinim se kush ishte “pro” dhe kush ishte “kundër” pavarësisë së Kosovës, por vetëm në kuadrin e kuriozitetit sepse tashmë pavarësia është fituar.”

“Në deklarimet e tyre, vendet e prekura nuk ndalen tek faktet por japin siguri se marrëdhëniet midis tyre nuk do të ndryshojnë”, nënvizoi Mustafaj në lidhje me pasojat që mund të ketë publikimi i sekreteve diplomatike.

“Nxjerrja e këtyre fakteve mund të ndjellë mosbesim reciprok midis diplomatëve, por marrëdhëniet nuk do të ndryshojnë. Do të ketë një ndryshim të krejt mënyrës së komunikimit, do të pakësohet vëllimi i komunikimeve. Mënyra e të bërit diplomaci do të ndryshojë, por jo marrëdhëniave mes vendeve”, përfundoi Mustafaj.

Top Channel