Asnjë koment nga ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell për dosjet sekrete që Wikilekas ka filluar së fundi t’i publikojë për Kosovën.

Dell u pyet nga gazetarët për këtë çështje gjatë vizitës që i beri Organit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.

“Për çështjet që kanë të bëjnë me dokumentet e Wikileaks mund t’i drejtoheni Uashingtonit, unë nuk kam komente”, ka deklaruar prerë ai.

Pothuaj një deklaratë e njëjtë u bë pak ditë më parë edhe nga edhe nga kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se preferon të komentojë vetëm dokumentet transparente.

Faqja e internetit Wikileaks ka paralajmëruar se zotëron rreth 660 korrespondenca të përfaqësive diplomatike të SHBA në shtete të ndryshme të botës e që ndërlidhen me Kosovën.

Deri më tani mediat kanë publikuar dhjetëra prej tyre. Ato kryesisht kanë të bëjnë me koordinimin e SHBA-ve me disa nga shtetet evropiane për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe menaxhimin e situatës pas saj.

Më të fundit janë korrespondencat diplomatike të dërguara nga ambasada amerikane e Francës drejt Uashingtonit.

Në njërën pjesë i sugjerohet presidentit të SHBA-ve që në takimin e planifikuar me presidentin e Francës, përveç diskutimit rreth Irakut dhe Afganistanit të diskutohet edhe për trupat e saj që veprojnë në kuadër të NATO-s në Kosovë, që të vazhdojë motoja e marrëveshjes për Bosnjën dhe Kosovën: “kemi hyre bashkë dhe do të dalim bashkë”.

Në një dokument tjetër të siguruar nga Wikileaks merret vesh roli i Rusisë për të bllokuar njohjen e pavarësisë nga Katari, si dhe përpjekjet e Rusisë për të ndikuar te Spanja që t’i tërheqë trupat e saj nga Kosova.

Top Channel