Bashkësia ndërkombëtare i bëri një seri ofertash Serbisë për të hequr dorë nga Kosova.

Kështu shkruajnë mediat serbe, të cilat pretendojnë se citojnë informacione sekrete të publikuara nga faqja e internetit Wikileaks.

Kështu, sipas burimeve, amerikanët i druheshin vetos ruse në OKB dhe favorizuan idenë që Serbisë t’i ofrohej Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.

Gjithashtu, në vitin 2006 Shtetet e Bashkuara menduan të ndihmojnë forcat pro-demokratike në Serbi për zgjedhjet e janarit të 2007-ës, por më pas hoqën dorë duke ofruar anëtarësimin në Partneritetin për Paqen.

Nga ana tjetër, shtojnë burimet, francezët kërkuan nga gjermanët që ta përkrahin opsionin e MSA-së pa insistuar për bashkëpunimin e plotë të Serbisë me gjykatën e Hagës.

Mediat serbe saktësojnë më tej se materialet në fjalë janë gjetur në një mesazh të publikuar nga Wikileaks, ku citohet një bisedë mes zyrtarit amerikan Daniel Fried dhe këshilltarit të presidentit të atëhershëm francez Jacques Shirac.

Top Channel