Përmbytjet, Prifti: Ndryshe nga të janarit

03/12/2010 20:20

Ish-ministri i Energjitikës, Dritan Prifti ka deklaruar në një lidhje të drejtpërdrejtë në Top Channel se situata e krijuar me përmbytjet në Shkodër është e ndryshme nga ajo e muajit janar.

“Ka një diferencë të ndjeshme tek shkaqet që sollën këtë situatë në janar në krahasim me këtë tani. Nuk është se kam informacion për nivelet e prurjeve, por duket se dallimi i janarit ishte se në atë periudhë pati një fryrje të detit dhe daljes së tij në tokë, duke mos lejuar derdhjen e Bunës. Një fenomen që nuk ka ndodhur këtë herë”, është shprehur Prifti.

“Në të dyja rastet ka qenë edhe për shkak të natyrës dhe neglizhencës për një periudhë shumë të gjatë. Ajo që ndodhi në janar ishte për herë të parë dhe pas asaj duhet të ishin nxjerrë shumë mësime dhe të bëhej një plan investimesh për të përballuar situatën”, theksoi Prifti.

Ish ministri ka deklaruar se përveç KESH-it, asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka ndërhyrë për përballimin e kësaj situate.

“Përveç KESH-it asnjë institucion tjetër nuk ka bërë punë për të eleminuar situatën. Vetëm KESH ka shfrytëzuar periudhën e verës për të bërë thellimin e lumenjve dhe pastruar liqenet pranë digave. Asnjë institucion tjetër nuk ka bërë asgjë”, tha Prifti.

“Në pjesën për të mbrojtur njerëzit nuk është ndërmarrë asnjë veprim. U është premtuar edhe nga kryeministri për të bërë një masterplan për të eleminuar përmbytjet ku do të qarkullonin rreth 200 milionë dollarë, por kjo nuk u bë asnjëherë. Nga buxheti i këtij viiti janë shkurtuar 400 milionë euro shpenzime që do të shkonin edhe për të përballuar këtë situatë”, theksoi ai.

“Situata në nivelin që është sot në Shkodër është e zgjidhshme nga një qeveri që do ta zgjidhë. Do duhen jo më shumë se 120 milionë euro për të rregulluar situatën. Nuk ka qeveri që të lejojë një qytet të tërë të përmbytet për një periudhë kaq të gjatë”, përfundoi ish ministri.

Top Channel