Shkodër, banorët e izoluar

04/12/2010 03:10

Izolimi nga uji, problemet me furnizimin me ushqime dhe me energji elektrike po e rrisin tensionin dhe ankesat e banorëve në Shkodër.

Gjendja e krijuar është shumë herë më e rëndë se ajo e fillimvitit dhe përmbytjet këtë radhë nuk prekin vetëm fshatrat përreth, por kanë goditur qytetin në zemër të tij.

Katet e sipërme të pallateve janë shndërruar në ishuj të banorëve që kanë mbetur ende të paevakuuar të cilët për të disatën ditë me radhë qendrojnë të bllokuar në shtëpi.

Situata është dramatike në katet e para të pallateve ku uji ka përmbytur gjithçka dhe vetëm disa orendi janë shenjat e vetme që tregojnë se aty, para disa ditësh banonin njerëz.

Një pjesë e personave të izoluar në pamundësi për të paguar transportin që kushton, sipas tyre 2 mijë lekë të vjetra deri në zonën e thatë të qyetit, kanë mbetur të bllokuar në banesat e tyre, pa energji, ushqime e ujë të pijshëm.

Në disa zona vihen re edhe shenja grabitjesh. Duke përfituar nga situata emergjente disa dyqane të kateve të para janë grabitur e dhunuar.

Top Channel