Wikileaks, ndërpriten donacionet online

04/12/2010 11:25

Procesori i pagesave online, PayPal, deklaron se ka ndërprerë aksesin për donacione për faqen e internetit Wikileaks.

PayPal thotë se shërbimi i tij i pagesës nuk mund të përdoret për aktivitete që inkurajojnë, promovojnë dhe lehtësojnë aktivitetet ilegale, apo u mësojnë të tjerëve që të përfshihen në to.

Dokumentat diplomatike amerikane të publikuara në ditët e fundit nga Wikileaks kanë shkaktuar shqetesim te Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Faqja e Julian Assange është detyruar të ndryshojë adresën e saj, për shkak të sulmeve të shumta të piratëve informatikë.

Në një deklaratë, PayPal thotë se, nuk mund të lejojë më donacione për Wikileaks për shkak të shkeljes së politikës së tij të përdorimit.

Më herët, kompania që siguronte domain-in e Wikileaks, EveryDNS.net, ndërpreu shërbimin e saj për shkak se adresa wikileaks.org u bë objekt i një vale sulmesh “cyber”.

Top Channel