Shkodër, rritet niveli i ujit

04/12/2010 11:30

Reshjet e shiut të natës së kaluar kanë bërë që niveli i  ujërave të Liqenit të Shkodrës të vijë në rritje, duke bërë që sasi të mëdha të vërshojnë jo vetëm në rrugën hyrëse të qytetit, por edhe në disa lagje të tjera.

Komuniteti i vendosur në këto lagje po ndjen seriozisht shqetësimin e pranisë së ujit, që në shumë raste e kalon lartësinë 1 metër. Komunikimi i këtyre banorëve realizohet vetëm me anë të mjeteve lundruese, të cilat janë të pranishme në shumë prej këtyre zonave.

Ndërkohë, rruga kryesore e qytetit, ajo e lagjes Xhabije, e cila shërben vetëm me një drejtim qarkullimi në dalje nga qendra e qytetit, vazhdon të jetë e përmbytur nga niveli i lartë i ujit.

Krahas banorëve që ndjejnë shqetësimin e furnizimit me ushqime për pjesëtarët e familjeve të tyre, mjaft problematike shfaqet situata edhe për bizneset që gjenden në të dy anët e rrugës, një pjesë e mirë e të cilave ka pësuar dëme serioze, pasi rritja e nivelit të ujit ka përmbytur mjediset e tyre duke shkaktuar dëme serioze.

Gjatë një vëzhgimi në këtë aks rrugor vihet re se një pjesë e mirë e pronarëve të kësaj zone kishin filluar të boshatisnin dyqanet e tyre, duke u përpjekur që të shpëtonin pajisjet elektronike. Ndërkohë, duke iu referuar kushteve atmosferike, duhet thënë se gjatë orëve të natës, Shkodra është përfshirë nga reshje të shumta, por që në orët e para të mëngjesit, duken më të pakta.

Përballë kësaj situate, Komisioni i Emergjencës Civile po bën të gjitha përpjekjet për t’i ardhur në ndihmë banorëve.
        

Top Channel