Përmbytja e pestë në Shkodër

04/12/2010 19:55

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi në një lidhje të drejtpërdrejtë për Top Channel ka deklaruar se “rruga nacionale Tiranë-Shkodër është e bllokuar tek Harku i Bërdicës transporti bëhet nga rrugë alternative nga Bushati”.

Ai ka theksuar se stafi emergjencës gjatë gjithë ditës është përqëndruar në furnizimin me ushqime të banorëve.

“I gjithë përqëndrimi i stafit të emergjencës ka qenë furnizmi me ujë të banorëve të përmbytur, rreth 20 përqind e qytetit është nën ujë. Kemi mundësuar shpërndarjen me të gjitha mjetet të 6 mijë bukëve, 4300 tonë ujë, pako ushqimore dhe ushqime për bagëtitë. Nevojat po përballohen në mënyrë të përminutshme dhe ne jemi në gatishmëri në të gjitha zonat”, tha Olldashi.

Ministri theksoi se shkaktari kryesor i kësaj situate janë rreshjet dhe jo argjinaturat.

“Përmbytja nuk vjen për shkak të argjinaturave, por për shkak të motit. Kemi pasur prurje të paparashikuara deri tani. Përmbytja filloi nga liqeni dhe u rënduar më pas nga shkarkimet. Prurjet në liqen kanë ngritur kuotën e liqenit dhe një kuotë e tillë nuk është shënuar asnjëherë”, theksoi Olldashi.

Top Channel