Përmbytjet, Rama: Të rishikohet buxheti

05/12/2010 15:30

Në një lidhje të drejpërdrejtë nga Shkodra me edicionin informativ të orës 15:00 në Top Channel, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama bëri thirrje për një operacion radikal për të rindërtuar sistemet mbrojtëse në Shkodër e në të gjithë vendin.

Kreu socialist, referuar akuzave të lëshuara nga Shkodra prej ministrit Olldashi tha se e vetmja makineri që punon 24 orë në këtë vend është makineria e baltës kundër opozitës.

Rama kërkoi rishikimin e buxhetit të vitit 2011 dhe shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e opozitës për adresimin e të gjitha fondeve të parashikuara për investime në infrastrukturë për vitin e ardhshëm, për të operuar, siç tha ai plagët e hapura nga përmbytjet në Shkodër e në të gjithë vendin.

“Shfrytëzoj këto pak minuta për të folur për problemin e njerëzve, për problemin e këtij vendi i cili sot po vuan përmbytje të përsëritura dhe që do të vazhdojë të vuajë përmbytje akoma më të përsëritura në rast se nuk do të ndërmerret një operacion radikal për të cilin ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë duke iu rikthyer buxhetit dhe duke i adresuar të gjitha fondet për investime publike në infrastrukturë, për të operuar të gjitha plagët e tmerrshme që i janë hapur këtij territori dhe që sjellin këto përmbytje katastrofike që nuk janë vepër e Zotit, por janë pasojë e një politike të mbrapshtë, pa sy, pa program, pa vizion, pa plan që synon vetëm t’u hedhë hi syve njerëzve duke prerë shirita elektoralë”, tha Rama.

Rama akuzoi qeverinë se nuk është marrë me problemet e vërteta të vendit, me problemet që sipas tij mbajnë vendin në këmbë. Ai shtoi se uji në vend duhet të kthehet në një burim mirëqënie dhe jo katastrofe.

“T’i bëjmë veprat ashtu siç duhet të jenë. Duhet të kemi një plan e duhet të bëjmë një punë të fokusuar përmes një operacioni që duhet të jetë masiv e radikal”, përfundoi Rama.

Ndërkohë, Anastas Angjeli ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, hartues i disa buxheteve thotë se një ndërhyrje e tillë është e domosdoshme dhe se për këtë tashmë ka dy opsione ligjore.

“Qoftë nëpërmjet Presidentit të Republikës që mund të mos firmosë buxhetin e parë nëse gjendja është akuta, qoftë edhe nga vetë qeveria e cila duke parë këtë gjendje mund të bëjë një rishikim të disa treguesve”, deklaron Angjeli.

Ish-kreu i financave thotë se gjendja kritike në të cilën ndodhen banorët e përmbytur kërkon që qeveria të nisë që me buxhetin e këtij viti veprimet financiare për përballimin e situatës.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë në tre vitet e fundit të marra së bashku qeveria ka investuar gjithësej në sistemin mbrojtës të Shkodrës vetëm 2.3 milionë dollarë ose pak më shumë se 0.2 përqind e fondit të investimeve publike që ajo kryen në një vit të vetëm.

Por tashmë që Shkodra po përballet me përmbytjen e pestë vetëm brenda këtij viti, fatura e dëmeve shumëfishe që vjen nga pas shkon në qindra milionë dollarë, si shkatërrim i prodhimit bujqësor, dëmtime të infrastrukurës, kosto shëndetësore, taksa të shpenzuara për përballimin e situatës emergjente apo dhe të tjera shpenzime.

Top Channel