Vjosa përmbyt Vlorën e Fierin

05/12/2010 16:50

Harta e përmbytjeve po zgjerohet edhe në jug të vendit. Lumi Vjosa doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në Fier dhe më vonë edhe në Vlorë. (UPDATE)

Në fshatin Ferras për shkak të prurjeve të shumta të ujit dhe çarjes së argjinaturës së ndërtuar dy ditët e fundit, janë përmbytur mbi 15 banesa.

Banorët duke parë kërcënimin nga uji janë larguar menjëherë duke shpëtuar çfarë të mundnin. Si rezultat mbi 500 hektare tokë bujqësore në Fier janë nën ujë. Jashtë pune ka dalë dhe stacioni i pompimit, ndërkohë që Shtabi i Emergjencave po punon në ngritjen e një argjinature në Urën e Mifolit. Pese banesa të ndërtuara pas viteve 90-të në afërsi të kësaj ure, janë rrethuar nga uji.

Vërshimi i ujit ka prekur më vonë edhe qytetin e Vloëes. Në orët e para të mëngjesit është bllokuar në tre kilometra aksi që lidh Selenicën me Vlorën, i cili ka qenë i pakalueshëm gjatë gjithë paradites.

Në Novoselë janë përmbytur me dhjetëra banesa të ndërtuar në buzë të lumit, dhe qindra hektarë të tjera toke. Fatmirësisht banorët e kërcënuar në Novoselë, kanë braktisur më parë shtëpitë e tyre, çka ka shmangur dëmet në njerëz dhe blegtori.

Prurjet e Vjosës u rritën ndjeshëm gjatë orëve të natës, duke bërë që ujrat të dalin nga shtrati në masë të konsiderueshme. Shtabi i Emergjencës ëhstë mbledhur e ka qenë në gatishmëri qysh pasditen e djeshme.

Sipas drejtuesve të shtabit, aktualisht situata është nën kontroll dhe rreziku më i madh ka kaluar.

Top Channel