Shkodër, rritet sipërfaqja e përmbytur

05/12/2010 19:45

Edhe pse gjatë ditës së sotme nuk pati reshje shiu, situata mbrëmjen e sotme në Shkodër paraqitej disi më e rënduar.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, sipërfaqja e tokës që ndodhet nën pushtetin e ujit ka shkuar në 14.130 hektarë ndërsa numri i personave të evakuuar shkon në më shumë se 12.100 persona.

Shkak i përhapjes së zonës së përmbytur është bërë prurja e lumenjve, përkatësisht Bunës dhe Drinit të cilët vazhdojnë të kenë prurje të mëdha. Gjithashtu edhe shkarkimet në Kaskadën e Drinit, ndonëse kanë pësuar ulje, vazhdojnë të jenë me intensitet të lartë.

Velipoja, është rrethuar nga të gjitha anët nga uji, duke krijuar një ishull të vogël ku strehohen rreth 12 mijë banorë, bashkë me të evakuuarit nga Dajçi dhe Oboti. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre personave të izoluar me ushqime e ndihma të tjera, ushtria po përdor anijet e nisura nga porti i Shëngjinit për në plazhin e Velipojës, nga ku transporti kryhet me makinat e ushtrisë. Në dispozicion të ushtrisë ndodhen edhe 12 helikopterë, mes të cilëve edhe 3 të ardhur nga Turqia e një nga Greqia në kuadër të ndihmës së ofruar nga NATO.

Top Channel