Topi falënderon Gyl: Vlerësojmë pa masë ndihmën e Turqisë

06/12/2010 08:15

Presidenti Bamir Topi i dërgoi një mesazh falënderimi Presidentit të Turqisë, Abdullah Gyl, për solidaritetin dhe ndihmën e menjëhershme, që Turqia dha për përballimin e situatës emergjente të shkaktuar nga përmbytjet e ditëve të fundit në vendin tonë.

Sipas zyrës së shtypit pranë Presidencës, kreu i shtetit vlerësoi solidaritetin njerëzor të Turqisë për t’iu ardhur në ndihmë me helikopterë transporti dhe personel ushtarako-mjekësor familjeve të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri.

Në telegramin që ia dërgoi homologut të tij turk, Presidenti Topi shkruan: “Më lejoni që, në emër të popullit shqiptar dhe timin personal, t’Ju shpreh mirënjohjen e thellë dhe falënderimet më të përzemërta për ndjeshmërinë e lartë dhe solidaritetin njerëzor për t’iu ardhur në ndihmë me helikopterë transporti dhe personel ushtarako-mjekësor familjeve të prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri! Ne e vlerësojmë pa masë dhe çmojmë lart mbështetjen Tuaj personale dhe ndihmesën e Turqisë si vend mik dhe aleat në NATO gjatë këtyre momenteve të vështira për Shqipërinë si tregues të qartë të marrëdhënieve historikisht të konsoliduara dhe vëllazërore mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Duke ju falënderuar edhe njëherë për kontributin Tuaj të vyer, si dhe duke Ju siguruar për ndjenjat e mirënjohjes dhe miqësisë së thellë të popullit shqiptar, shpreh bindjen se klima e shkëlqyer e marrëdhënieve tona do të vazhdojë të forcohet gjithnjë e më tepër në interes të dy popujve tanë!” – theksohet në mesazhin e Presidentit Topi”.

Dy ditë më parë, në vend kanë mbërritur dy helikopterë kërkim-shpëtimi nga Turqia dhe po kështu një ekip mjekësor, ilaçe dhe ushqime për banorët e zonave të përmbytura.

Kështu, të vetmet shtete që kanë nisur ndihmën me mjete të ndryshme dhe forca ushtarake për situatën në vend kanë qenë Kosova dhe pasditen e djeshme edhe Turqia. Me shpalljen e emergjencës civile për zonën e Shkodrës, në drejtim të zyrave të NATO-s janë nisur raporte me gjendjen e përditësuar të situatës në Veri të vendit dhe në mënyrë të specifikuar nga ana e Shqipërisë është kërkuar ndihma me dy helikopterë me përmasa të mëdha, të cilët do të lehtësonin transportin e ushqimeve dhe mjeteve të tjera të nevojshme kryesisht për komunat e izoluara plotësisht në veri të vendit.

Këta lloj helikopterësh nuk disponohen aktualisht nga ushtria shqiptare, e cila për shpërndarjen e ndihmave dhe për emergjencat në Veri po procedon me helikopterë më të vegjël, të cilët i humbin njëkohësisht edhe shumë kohë. Sipas zyrtare të Ministrisë së Brendshme, fakti që këta helikopterë po vonohen lidhet me situatën e vështirë kudo në Europë, për sa u përket ngricave dhe përmbytjeve edhe në vendet fqinje të Shqipërisë.

Por nga ana tjetër e gatshme për ndihmë edhe treguar menjëherë Kosova. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë të ditur se drejt vendit tonë qeveria e Kosovës ka nisur 60 trupa shpëtimi dhe po kështu katër mjete lundruese me kapacitet të madh, të cilat aktualisht janë vënë në shërbim të banorëve në zonën veriore të vendit.

Top Channel