Italia, 34 tonë ndihma ndaj Shqipërisë

06/12/2010 08:25

Në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare për ndihmë në këtë rast fatkeqësie, qeveria italiane, përmes Departamentit të Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kryqin e Kuq Italian do të dërgojë një ngarkesë ndihmash për të përmbushur nevojat bazë të të përmbyturve.

Kryesisht, ndihmat e mbledhura, sipas raportimit të mediave italiane, konsistojnë në veshje dhe produkte të higjienës personale. Ato janë destinuar kryesisht për zonën e Shkodrës e goditur rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Pritet që kontingjenti italian i ndihmave të mbërrijnë me traget përmes linjës Bari-Durrës. Janë pesë kamionë me një peshë gjithsej prej 34 tonë të vëna në dispozicion të Kryqit të Kuq Italian dhe së bashku me 11 vullnetarë dhe profesionistë ishin parashikuar të niseshin mbrëmjen e vonë të së dielës nga Bari drejt Durrësit e më pas drejt Shkodrës, gjatë ditës së sotme.

Një ekip prej tre zyrtarësh të Departamentit të Mbrojtjes Civile është angazhuar gjithashtu që të organizojë veprimet këtë mëngjes të së hënës lidhur me procedurat në doganë dhe për të koordinuar transferimin e aseteve në ndihmë të autoriteteve lokale.

Top Channel