Përmbytjet, Komuniteti Mysliman në ndihmë të banorëve

06/12/2010 15:10

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë institucionale në shenjë solidariteti e ndihme për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës.

Në mbledhjen e saj të fundit, Kryesia e Komitetit Mysliman te Shqiperise pasi ka analizuar gjendjen e krijuar ka dalë me disa vendime konkrete, si: shpallja e kesaj jave java e lutjeve për familjet që gjenden të përmbytura dhe të gjitha myftinitë në vend të angazhohen për mbledhjen e kontributeve në vlera monetare, veshmbathje dhe produkte ushqimore në favor të të dëmtuarve.

Pas mbledhjes së kontributeve, Komiteti Mysliman i Shqiperise siguron se do të angazhojë punonjësit e tij por edhe vullnetarë për shpërndarjen e tyre në zonat e tragjedisë me qëllim që t’u vihet në ndihmë qytetarëve dhe zbutur sadopak situatën e rëndë që ata po përjetojnë. Për këtë qëllim KMSH ka hapur edhe numër llogarie ku mund të dërgohen donacione me emërtimin “Kontribute për zonat e përmbytura”, BKT 110000709.

Duke shprehur edhe një herë keqardhjen për banorët e dëmtuar, Komiteti Musliman Shqiptar falënderon në mënyrë të veçantë çdo individ, organizatë apo institucion që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë drejtim, duke kujtuar se çdo kontribut, pavarësisht vlerës, ka si shpërblim kënaqësinë e Zotit dhe mirënjohjen e njerëzve.

Top Channel