Rama: Berisha kërkon t’i mbyllë gojën opozitës

09/12/2010 13:00

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama shprehu sot shqetësimin për mbylljen e parlamentit nga ana e kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares Jozefina Topalli për të mos u përballur, sipas tij, me propozimin e opozitës.

Në një konferencë për media, kreu socialist theksoi se Shqipëria po zhytet në baltën e keqqeverisjes dhe mbyllja e parlamentit e tregon fare qartë këtë gjendje.

“Sot parlamenti duhet të diskutonte për atë që duhet bërë për të mos patur përmbytje dhe për të mos patur më rikënetëzim të Shqipërisë. Sot opozita ishte bërë gati që të mbronte në parlament propozimin e saj për të ndalur  përmbytjen dhe të kërkonte prej qeverisë adoptimin e një plani konkret. Saliu dhe Jozefina mbyllën parlamentin, për t’i mbyllur gojën opozitës për të demonstruar hapur se nuk kanë asnjë vizion a program për të nxjerrë vendin nga përmbytjet dhe nga balta”, tha Rama.

Kryetari i PS-së kërkoi që t’i jepet fund lojës së shitjes së energjisë, të ngrihen struktura shkencore për analizimin dhe studimin e menaxhimit të ujërave, si dhe të ndërhyhet në legjislacion për mbrojtjen e pyjeve dhe të lumenjve.

Top Channel