Amendamentet kundër Dick Marty

13/01/2011 13:00

Qeveria shqiptare i ka bërë ftesë zyrtare EULEX-it dhe Gjykatës ndërkombëtare për krimet në ish-Jugosllavi, që të hetojnë në Shqipëri.

Duke pritur Jakup Krasniqin, president në detyrë i Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i Kuvendit, kryeministri Berisha zbuloi qëndrimin që do të mbajë delegacioni shqiptar në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës.

“Delegacioni ynë shkon me porosinë dhe mendimin që të kërkojë hetim të kësaj cështjeje nga institucionet ndërkombëtare. T’i kërkohet Dick Marty që të gjitha të dhënat që ka t’ia dorëzojë EULEX-it ose GJND-së. Ky është një detyrim madhor ligjor”, deklaroi Berisha.

Gatishmëria për hetim ndërkombëtar është një qëndrim i përbashkët edhe i Kosovës. “Ne jemi të gatshëm të përballemi me drejtësinë ndërkombëtare. Jemi të bindur se BE ka një strukturë profesionale në Kosovë për të ndihmuar drejtësinë e Kosovës. Ne i kërkojmë EULEX-it që të vazhdojë hetimet aty ku i ndërpreu UNMIK”, tha Krasniqi.

Sipas presidentit Krasniqi, raporti i Dick Marty nuk ndikon në bisedimet e ardhshme me Serbinë.

Sipas tij, Kosova është e gatshme për të biseduar me Serbinë për gjithcka që është në interes të qytetarëve shqiptarë e serbë, që jetojnë si në Kosovë edhe në Serbinë jugore.

Top Channel