Vrasjet në demonstratë

22/01/2011 09:50

Në planet e transmetuara nga “News 24” duket flaka nga qitja e një ushtari brenda territorit të kryeministrisë. Thuajse në mënyrë të njëkohshme shtetasi i goditur rrëzohet.

Rrëzimi i tij duket më qartë nga videoja e cila ka bërë xhiron e rrjeteve sociale në internet. Deputeti Saimir Tahiri, i ftuar direkt në studiot e Top Channel bëri këtë koment:

“Nuk ma merr mendja që kryeministri të thotë që këto pamje i ka montuar opozita. Në këto pamje tregohet një qytetar që s’ka në dorë asgjë dhe që si gjithë protestuesit e tjerë shfaqet kundër kësaj qeverie hajdute dhe tregohet që e shtëna i vjen nga brenda kryeministrisë. Nuk është dëgjuar asnjë krismë. Këto pamje janë të trishtueshme, por dhe tregojnë fytyrën e një pushteti që vjedh pasuritë e shqiptarëve cdo ditë. Në një situatë krize qeveria është e detyruar që t’i drejtohet gjuhës së dhunës dhe të armëve”, deklaroi Tahiri.

Mirëpo nga planet e transmetuara nga “Vizion Plus” bie në sy edhe një detaj tjetër. Në momentin kur personi pranë kryeministrisë rrëzohet, bien përtokë edhe dy persona të tjerë, në distancë prej tij.

Ndërkohë, në një njoftim për shtyp, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi se pas protestës së të premtes, gjatë zhvillimit të së cilës humbën jetën 3 persona dhe me dhjetëra të tjerë mbëritën në spital të plagosur, është ngritur një grup hetimor i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili është angazhuar me kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore.

Sipas njoftimit, një pjesë e grupit hetimor është vendosur në vendin e ngjarjes, në mjediset pranë kryeministrisë, me qëllim kqyrjen e vendit, evidentimin dhe sekuestrimin e cdo prove materiale që gjendet aty.

Krahas këtyre veprimeve është kryer marrja e librave të gadishmërisë dhe plani i masave pranë Gardës së Republikës, si dhe kamerat e instaluara nga Policia e Shtetit në vendin e ngjarjes.

Një pjesë e grupit hetimor është vendosur në Spitalin Ushtarak dhe ka realizuar kqyrjen e viktimave, kqyrjen e veshjeve të viktimave dhe sekuestrimin e tyre me cilësinë e provës materiale, kqyrja dhe pyetja e të gjithë personave të plagosur, qofshin këta civilë apo efektivë të policisë.

Ndërkohë janë marrë vendimet për kryerjen e të gjitha ekspertimeve kriminalistike të nevojshme. Pjesa tjetër e grupit hetimor është vendosur në komisariatet e Policisë së Tiranës, për marrjen në pyetje të të gjithë personave të shoqëruar në komisariate nga Policia e Shtetit.

Në këtë njoftim thuhet se prokuroria është e impenjuar për një hetim objektiv, të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve, me qëllim individualizimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, jashtë ndikimit të cdo faktori politik.

Top Channel