Gazi, korrupsion me kasat

03/02/2011 17:30

Rikthehen akuzat për korrupsion në proçesin e shumëpërfolur të kasave fiskale. Këtë herë janë tregtarët e gazit, të cilët akuzojnë për një megaaferë korruptive, sipas tyre e orkestruar nga Ministria e Financave dhe që po drejtohet nga drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahia.

“Çdo pikë gazi që do të instalojë këto kasa, kostoja e tyre varion nga 45 mijë euro në 162 mijë euro. Që po të bëni një llogari kalon në 50-60 milionë euro. Nga verifikimi që kemi bërë ne si shoqatë, këto nuk kalojnë më shumë se 5 mijë euro. Pra është një korrupsion i jashtëzakonshëm që dikush nga këta, kërkon që të marrë këto para në kurrizin tonë”, është shprehur Ilirjan Brokaj, kryetar i Shoqatës së Tregtarëve të Gazit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bllokuar depozitat e Vlorës për shkak se nuk janë pajisur me kasat fiskale. Tregtarët akuzojnë se pas këtij skenari qëndron lufta për tregun, i cili tashmë, sipas tyre, është vënë nën kontrollin e disa kompanive në Porto Romano.

“Po ta shikoni, nafta dhe gazi ka vajtur 1600-1650 lekë litri, në fakt, kostoja e kësaj së bashku me fitimin kompanive është rreth 1200 lekë. Ka një abuzim me 400 lekë. Vetëm në muajin janar janë shitur 35 mijë tonë naftë në Porto Romano, me një diferencë çmimi me 400 dollarë për tonë, që i thonë rreth 12 milionë dollarë që kanë vajtur në xhepat e këtyre zotërinjve. Qeveria hesht sepse drejtori i përgjithshëm i Tatimeve është palë në aferat e këtyre karburanteve”, tha Brokaj.

Shoqata e tregtarëve ka kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit për të zgjidhur situatën.

“Derisa të marrim konfirmim nga qeveria që kërkojmë bisedime, nga sot e tutje ne ndaluam tregtimin e gazit në tërë Shqipërinë, si për industrinë dhe për popullatën”, theksoi Brokaj.

Top Channel