Ndërsa hapet rruga për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e qeverisë së re, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se nuk do të marrë pjesë në qeveri nëse kryeministër do të jetë Hashim Thaci.

Ky qendrim i AAK-së është përforcuar pas kthimit të tre anëtarëve të kësaj partie nga Haga, ku duket se fjalën e fundit e ka thënë vetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Do të jemi pjesë e nëgocimeve për koalicionin e ardhshëm nëse ftohemi nga PDK, do të marrim ofertën e tyre dhe do të prezantojmë ofertën tonë. Ofertë e pranueshme është vetëm nëse udhëheqja e qeverisë nuk bëhet nga zoti Thaci”, deklaroi nga AAK, Burim Ramadani.

Ndërsa Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, vuri si kusht për pjesëmarrjen në ekzekutiv, postin e presidentit dhe disa ministri kryesore.

“Qendrimi përfshin që AKR të ketë hapësirën e vet përmes ushtrimit të funksionit të Presidentit të Republikës së Kosovës, kandidat për të cilin është kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli. Kemi edhe liderë të partisë që janë shumë të profilizuar në fushat e tyre, si shëndetësi, sigurinë, e kështu me radhë. Këto kushte do të jenë pjesë e bisedimeve të AKR-së për krijimin e qeverisë së re”, deklaroi zv/kryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari Lila.

Sidoqoftë, duket se kërkesat e partive të vogla nuk paraqesin shqetësim për PDK-në. Nën/kryetari i kësaj partie, Hajredin Kuqi shprehet se qeveria e re synohet të krijohet para datës 17 shkurt.

“PDK do të japë gjithë angazhimin e saj që kjo të ndodhë para 17 shkurtit, kjo do të ishte një lajm i mirë për Kosovën, për partnerët tanë ndërkombëtarë. PDK nuk do të vendosë kushte ndaj askujt, njëkohësisht të pranojë që t’i vërë kushte dikush. Kërkojmë të ndërtojmë partneritet duke ndihmuar njëri-tjetrin, jo të vëmë kushte”, deklaroi zoti Kuqi.

Jashtë bisedmeve për formimin e qeverisë së re në Kosovë, mbetet vetëm LDK dhe Vetëvendosje të cilat më herët janë shprehur kategorikisht kundër bashkëqeverisjes me PDK-në.

Top Channel