Një takim jo formal në njërin nga restorantet e Prishtinës, ndërmjet kreut të PDK-së Hashim Thaçi dhe atij të AKR-së, Behgjet Pacollit duket se po i jep fund krijimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës.

Burime zyrtare brenda dy partive konfirmuan mbajtjen e takimit dhe dakordimin për të të qeverisur së bashku në katër vitet e ardhshme.

Ndërkaq që e ashtuquajtura pyetja një milion dollarëshe nëse PDK-ja ka pranuar kushtin e AKR-së që Behgjet Pacolli të bëhet president i Kosovës, nuk ka marrë akoma përgjigjen përfundimtare.

Në të dy selitë thuhet se ky kusht është subjekt diskutimi.

Ndërsa në Aleancën Kosova e Re thonë se kjo parti nuk është zbrapsur nga asnjë kusht i saj, në PDK sikur i shmangen komenteve për sa i përket postit të presidentit.

Burime të tjera  thonë se kreu i PDK-së Thaçi, edhe mund të pajtohet që Pacolli të bëhet president, në qoftëse ndryshohet Kushtetuta që i pari i shtetit brenda një kohe të shkurtër të zgjidhet me votën e popullit.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës akoma nuk i ka ftuar subjektetet politike ashtu edhe siç kishte  premtuar.

Anëtarë të PDK-së shprehen se në orët e pasdites mund të mblidhet kryesia e PDK-së, por që akoma janë në fazën e konsultave të brendshme.

Sidoqoftë, ushtruesi i detyrës së presidentit Jakup Krasniqi, pritet t’i takojë të enjten krerët e partive politike për të caktuar datën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ajo që mbetet për t’u diskutuar në mbledhjen e nesërme të ushtruesit të detyrës së presidentit me partitë politike është edhe ajo nëse do të jetë Jakup Krasniqi ai që do ta mandatojë kandidatin për kryeministër, apo do të shkohet fillimisht me zgjedhjen e presidentit, i cili pastaj do të caktojë mandatarin për kryeministër.

Top Channel