Egjipt, tensioni në maksimum

11/02/2011 09:55

Tensioni është në rritje në rrugët e kryeqytetit egjiptian të Kajros, pas deklaratës së mbrëmshme të presidentit Hosni Mubarak, në të cilën ai shprehu vullnetin për të qëndruar në pushtet deri në zgjedhjet e shtatorit.

Turma prej mijëra njerëzish janë duke formuar grumbullime masive përpara pallatit presidencial, sheshit Tahrir apo vendndodhjeve të tjera në qytet.

Këshilli i Lartë Ushtarak, lajmëroi më parë gjatë ditës se do të bëjë së shpejti një deklaratë shumë të rëndësishme.

Sipas korrespodentëve të BBC-së në vendngjarje, dita e sotme është cilësuar si më e rrezikshmja në 18 ditët e protestave popullore.

Një ditë më parë, presidenti Mubarak lajmëroi se do të shfaqej në një deklaratë të rëndësishme në television dhe festimet e parakohshme nisën për largimin e tij.

Megjithatë, lajmi që 82-vjeçari ka ndërmend të vazhdojë provokoi indinjatë masive dhe edhe më shumë njerëz kanë dalë në shesh në ditën e sotme.

Top Channel