Izraeli: Mubarak kërkon të largohet me nder

11/02/2011 10:30

Një ish-Ministër i kabinetit izraelit deklaroi mëngjesin e sotëm se presidenti egjiptian, Hosni Mubarak, është i vendosur që të largohet me nder pas 30 vitesh drejtimi të vendit.

Binyamin Ben-Eliezer, një ish-Ministër i Mbrojtjes, foli për “Associated Press” gjatë mëngjesit të sotëm. Ai pati mundësinë të fliste drejtëpërsëdrejti me Mubarak-un disa orë përpara se ky të shfaqej në television, për të thënë që do të vazhdonte.

Duke përshkruar bisedën me 82-vjeçarin, Ben-Eliezer tha: “Ai e di se ka mbërritur fundi i rrugës për të. E vetmja gjë që po kërkon, është të gjejë një mënyrë për t’u larguar me nder”.

Një tjetër ish-Ministër i Mbrojtjes, Shaul Mofaz, edhe ai një njohës i mirë i Mubarak-ut, deklaroi se presidenti egjiptian i kishte thënë se “dëshiron të përfundojë periudhën e drejtimit të vendit në këmbë dhe jo në gjunjë”.

Top Channel