Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi konfirmoi krijimin e koalicionit qeverisës të PDK-së me AKR-në, listën “Ibrahim Rugova” dhe minoritetet.

“Dihet se kush do të jetë pjesë e këtij koalicioni: PDK, AKR, lista ‘Ibrahim Rugova’ dhe të gjitha komunitetet serbe dhe jo serbe, me një mazhorancë të mjaftueshme, por shumë të konsoliduar”, është shprehur Thaçi.

Këtë e deklaroi pas takimit me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Thomas Countryman, i cili nga ana e tij foli shumë qartë kur tha se Kosovës i duhet një qeveri e pastër.

“Besoj që qeveria e re që do të formohet së shpejti duhet të ketë një axhendë të plotë për zhvillimin e ekonomisë, për krijimin e vendeve të reja të punës, për të vendosur sundimin e ligjit, për pavarësimin e gjyqësorit dhe policisë dhe ne besojmë se populli i Kosovës ka kërkuar dhe pret një qeveri të pastër të përkushtuar që do të ecë përpara dhe me hapa të shpejtë”, është shprehur Countryman.

Pavarësisht presionit ndërkombëtar, kryeministri në largim nuk iu përgjigj qartë kur pyetet se a do të jenë pjesë e kabinetit të ri apo jo, zyrtarët të cilët janë nën hetime nga EULEX-i.

“Në institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës, do të jenë njerëz që si qëllim parësor kanë së pari Kosovën, interesat e qytetarëve të vendit, mbi çdo interes partiak, grupor apo individual. Që të jenë të aftë, të përgjegjshëm, kredibël, që mund të përmbushin vizionin tonë për Kosovën”, tha Thaçi.

E derisa shfaqi bindjet e tij se në një sistem parlamentar nuk ka rëndësi madhësia e koalicionit apo numri i deputeteve, por përkushtimi dhe vendosmëria e një koalicioni të ngushtë, Countryman e dha një përgjigje më të shkurtër për opsionin që Behgjet Pacolli të bëhet president i Kosovës.

Lidhur me këtë çështje kryeministri Thaçi tha se çështja e postit të presidentit do të jetë pjesë e marrëveshjes mes partive që e përbëjnë koalicionit.

Nga ana tjetër Countryman dhe Thaçi diskutuan edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë.

Zyrtari i lartë amerikan ritheksoi mbështetjen e shtetit të tij për fuqizimin e Kosovës, ndërkaq kërkoi nga qeveria e re që diaologu me Serbinë të jetë pjesë e axhendës së saj.

Kryeministri Thaçi nga ana tjetër bëri të ditur se një nga vendimet e para të qeverisë do të jetë nisja e dialogut me Serbinë, një dialogu ky që, sipas tij, do të fillojë mbarë dhe do të mbarojë me njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Top Channel