Egjipt, vazhdojnë festimet popullore

12/02/2011 08:00

Qindra mijëra njerëz janë duke festuar në Egjipt në rrugët e kryeqytetit Kajro dhe qyteteve të tjera të vendit edhe në mëngjesin e sotëm.

Siç raportojnë agjensitë e huaja, pas dorëheqjes së Hosni Mubarak pas 30 vitesh drejtimi të vendit, entuziasmi popullor ka vazhduar gjatë të gjithë natës, ndërsa njerëzit e kanë gdhirë dhe vazhdojnë të gëzojnë.

Vendi i ka kaluar në dorë forcave të armatosura, veprim të cilin presidenti amerikan Obama dhe Bashkimi Europian e kanë përshëndetur dhe cilësuar si një hap të madh drejt demokratizimit të vendit.

Ndonëse njerëzit për një ditë kanë harruar nga entuziasmi të gjithë problemet që i detyruan të dalin në rrugë, qeveria e re përballet me një sfidë madhore përpara saj.

Papunësia shumë e lartë, niveli i ulët i jetesës, korrupsioni masiv dhe lidhjet shoqërore e familjare që ka vendosur Mubarak-u në pushtet gjatë 30 viteve të tij, janë elemente që do ta vështirësojnë shumë punën e autoriteteve të reja dhe e bëjnë urgjente nevojën për reforma.

Për më tepër, 18 ditët e protestave llogaritet t’i kenë shkaktuar Egjiptit një dëm më të madh se 3 miliardë euro, ndërsa sektori i turizmit, vital për ekonominë e vendit, pritet të pësojë rënie si pasojë e pasigurisë në vitin 2011.

Top Channel