Mubarak, ngjitja dhe rënia

12/02/2011 17:00

“Dhuna e solli në pushtet në vendin me të populluar arab dhe protestat e rrezuan”. Stabiliteti ishte parrulla e tij dhe ligji i emergjences, formalizoi ruajtjen e fronit, pergjate 30 viteve ne krye te Egjiptit.

Muhamad Hosni Sajid Mubarak lindi me 4 maj të vitit 1928, në një fshat të vogël të Deltës së Nilit. Megjithëse vinte nga nje mjedis i varfer, ai u diplomua në Akademinë Ushtarake të Egjiptit në vitin 1949, ndërsa më pas u bë Komandant i Forcave Ajrore dhe zv/ministër i Mbrojtjes.

Ai ndihmoi në sulmin e befasishëm ndaj forcave izraelite që mbanin të pushtuar gadishullin e Sinait, në fillim të Luftës së Jom Kipurit në vitin 1973. Dy vjet më vonë erdhi dhe shpërblimi.

Nën presion për të caktuar një zëvendës, Sadati zgjedh Mubarakun. Shumë pak kishin besuar se pikërisht ai, zv/presidenti pak i njohur të drejtonte shtetin, pas vrasjes së Sadatit.

Mubarak u tregua dinak duke zgjedhur paqen me Izraelin, për të ngritur reputacionin në arenën ndërkombëtare si një burrë-shteti.

Ai ishte përfshirë në marrëveshjen e paqes në Kemp Dejvid me Izraelin, e firmosur në vitin 1979 nga Sadati dhe kryeministri izraelit Menachem Begin. Kjo çimentoi marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara që i dhanë vendit miliarda dollarë ndihma ushtarake.

Për Perëndimin, Egjipti ishte një aleat kyç – një zë ndërmjetësues në konfliktin izraelito-palestinez.

Qendrimi i Mubarakut ngjalli zemëratën e ekstremistëve islamistë. Qeveria argumentoi se regjimi i tij mizor ishte i nevojshëm për të luftuar terrorizmin islamik.

Fati i tij u duk që kur mundi t’i shpëtojë plumbave të militantëve islamikë, që vunë në shenjestër dhe ekzekutuan Anvar Sadatin në vitin 1981.

Hosni Mubarak ishte ulur pranë tij, në paradën ushtarake që u zhvillua në Kajro.

Prej kesaj kohe ai i shpëtoi gjashtë atentateve. Po çfarë ofronte realiteti egjiptian i Mubarakut? Anëtarët e grupit më të madh opozitar në vend “Vllazëria Myslimane” futeshin në burgje ku edhe torturoheshin.

Shërbimet Sekrete depërtonin gjithëkund dhe egjiptianët e ndjenin veten pa dinjitet.

Kritikat nga Grupet e të Drejtave të Njeriut ishin shndërruar në rutinë.

Duke e drejtuar vendin gjatë një periudhe stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik, shumë egjiptianë pranuan, monopolizimin e pushtetit prej tij.

Me kalimin e viteve dhe zemëratës popullore që shpërtheu në fund të janarit Hosni Mubarak e ndjeu se duhet të bënte lëshime në favor të demokracisë.

Presioni ishte bërë i papërballueshëm brenda Egjiptit dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Më në fund erdhi dhe dorëheqja e tij. Kësisoj mbyllet një faqe e rëndësishme në historinë e Egjiptit për t’u hapur një re, jo lehtësisht e parashikueshme, por rreshtat e parë janë hedhur prej vetë popullit të tij.

Top Channel