Egjipt, rënia e një qeverie

12/02/2011 21:10

Kronologjia e ngjarjeve që çuan në rrëzimin e qeverisë egjiptjane brenda 18 ditësh, nis në 25 janar.

Të frymëzuar nga revolta në Tunizi dhe një faqe në Facebook, njerëzit dolën në rrugët e Egjiptit me thirrjet për një kufi të mandateve të presidentit, rritje të rrogës minimale, reforma qeveritare dhe fundin e brutalitetit të policisë.

Por mbi të gjithë, ajo që u duk vërtet si kërkesë e panegociueshme, ishte largimi i presidentit Hosni Mubarak.

Të rinjtë e këtij vendi nuk kanë njohur tjetër udhëheqës në jetën e tyre.

Regjimi autokratik i Mubarakut zgjati 3 dekada. Dhe ishin pikërisht disa prej tyre krijuesit e faqes së Facebook-ut, të titulluar “ne jemi të gjithë Khaled Said” në nder të 28 vjeçarit nga Aleksandria të rrahura për vdekje për forcat e policisë në muajin qershor.

Fjala u përhap në rrugët e Kajros se çdo ditë e re do të sillte demonstratë, por askush nuk e dinte me saktësi çfarë të priste nga e gjithë kjo.

Ditën e parë, protesta kundër Mubarakut mblodhi 20 mijë vetë në një demonstrim të papreçedent pakënaqësie ndaj pushtetit.

Forcat e rendit ndërhyn me pompa uji e gazlotsjellës.

Protestuesit nuk u thyen. Përkundrazi, dhuna policore sikur i nxiti më shumë të mos dorëzoheshin, por të riktheheshin përditë në sheshin Tahrir apo dhe të qendronin aty.

28 janari, dita e zemërimit, ishte momenti kur turma i vuri zjarrin selisë së Partisë Nacional-demokratike të Mubarakut, shenjë kjo se regjimi dhjetëra vjeçar po përballej me diçka shumë më e madhe sesa ca protesta të thjeshta rruge.

Një ditë më vonë, pak pas mesnate, presidenti 82 vjeçar tentoi qetësimin e revoltës me shkarkimin e kabinetit qeveritar.

Mubarak u shfaq si një lider që shqetësohet për popullin e vet dhe që i kupton pretendimet e tij.

Për largimin, nuk u tha asnjë fjalë. Protesta vazhdoi edhe pse furnizimet me gaz dhe ushqime për të ardhurit nga zona të tjera të vendit, po mbaronin, bankat ishin mbyllur dhe radhë të gjata njerëzish shiheshin përpara dyqaneve të bukës.

Në 1 shkurt, Mubarak deklaroi se nuk do të rikandidonte në zgjedhjet e shtatorit, por as kjo nuk ishte e mjaftueshme.

300 vete ishin vrarë në përleshjet e dhunshme me policinë. Për Egjiptin nuk ka kthim mbrapa, deklaroi presidenti amerikan Obama në Uashington.

2 shkurti solli një tjetër skenar: Përplasjen e protestuesve me mbështetësit e Mubarakut.

Kjo përpjekje, bashkë me deklaratën therëse të tij të enjten se nuk do ta jepte dorëheqjen, ishin përpëlitjet e fundit të një njeriu që kërkon të mbahet pas pushtetit me çdo kusht.

Nuk ndodhi ajo që ai donte. Mbrëmjen e së premtes, presidenti la postin dhe në heshtje, u largua nga kryeqyteti.

Thirrjet e turmës ndryshuan gjithashtu. Sllogani i saj i ri ishte: Egjipti tani është i lirë.

Top Channel