Egjipt, ushtria shpërndan parlamentin

13/02/2011 17:40

Ushtria egjiptiane shpërndau parlamentin dhe njoftoi se do të mbajë vendin nën kontroll për gjashtë muaj, deri në muajin shtator, kur edhe do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Në një njoftim të publikuar ditën e sotme, ushtarakët e lartë egjiptianë të komandës së lartë, njoftuan gjithashtu edhe abrogimin e kushtetutës vendase deri në kohën kur një komitet të propozojë e miratojë ndryshimet e nevojshme që do të garantojnë zgjedhje të lira e demokratike.

Tashmë, qeveria egjiptiane i raporton komandës së lartë të ushtrisë, njëlloj siç i raportonte ish-presidentit të larguar dy ditë më parë, Hosni Mubarak.

Ndërkohë, pavarësisht thirrjeve të qeverisë dhe të ushtrisë, qindra protestues vazhdojnë të qendrojnë në sheshin e kthyer tashmë në simbol të këtyre manifestimeve, Tahrir. Autoritetet ushtarake u kanë bërë thirrje për shpërndarje, por edhe pse janë prezentë me trupa të shumta në këtë shesh, nuk kanë tentuar t’i shpërndajnë me forcë ata.

Top Channel