Japoni, skandal me 440 euro

07/03/2011 17:05

Kryeministri japonez Naoto Kan ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje, pasi ministri i Jashtëm u tërhoq për shkak të një skandali financiar në fundjavë.

Kan tha në Parlament se ka ndërmend t’i përmbushë detyrimet e tij deri në zgjedhjet e ardhshme, që duhet të mbahen në vitin 2013.

Por opozita, e cila kontrollon Dhomën e Lartë, kërkon zgjedhje të parakohshme dhe kërcënon se do të bllokojë miratimin e buxhetit.

Largimi i ministrit të Jashtëm Seiji Maehara ka rritur përshtypjet se qeveria japoneze ndodhet në një situatë të vështirë.

Ish-shefi i diplomacisë pranoi se ka marrë një dhuratë me vlerë 50 mijë jen, ose 440 euro, dhuruar nga një koreano-jugor që banon në Japoni.

Shuma është e vogël, por ligji japonez u ndalon politikanëve të pranojnë para nga persona të jashtëm, në mënyrë që të ndalet depërtimi i influencës së huaj në politikat e brendshme.

Top Channel