Shtetet e Bashkuara do të jenë pjesë e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit për cështje praktike. Në një konference për shtyp me  gazetarët në Uashington, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen i bëri thirrje që parlamenti i Kosovës të diskutojë me realizëm mbi dialogun.

“Nëse Bashkimi Europian na kërkon të ndihmojmë, ne do ta bëjmë. Ne do të jemi aty me ftesë të BE-së dhe e respektojmë këtë rol. Ky është një mjet i rëndësishëm që dy shtetet të bisedojnë me njëri-tjetrin për nisma praktike të cilat do të përmirësonin jetën e të gjithëve, është një dialog dhe jo një negociatë”, tha Kantrimen.

Gjithashtu ai nënvizoi se në këto bisedime mund të diskutohet edhe për statusin, por ky është i pandryshueshëm. Zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Tom Kantrimen, komentoi gjithashtu lidhur me debatin në parlamentin e Kosovës, i cili nuk arriti të dalë me një rezolutë rreth dialogut Prishtinë-Beograd, duke e vënë në vështirësi qeverinë e Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Nuk dua të ndërhyj në këtë debat, por unë besoj me forcë se është e nevojshme që dialogu të zhvillohet sipas nje plani”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se bisedimet Prishtinë-Beograd do të zgjasin për aq kohë sa palët të vazhdojnë të demonstrojnë vullnetin politik për të zgjidhur probleme të vështira dhe të arrijnë zgjidhje krijuese.

Top Channel