Në ditën e dytë të dialogut Prishtinë-Beograd, palët janë shfaqur më konstruktive.

Madje, ndryshe nga cfarë deklaroi një ditë më parë, përpara nisjes së takimit, kryenegociatori Serb, Borko Stefanovic, u kthye në selinë e Këshillit të BE-së duke u shprehur se dallimet mbi statusin e Kosovës janë lënë mënjanë.

Teknikisht, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri shpjegoi se u bisedua mbi regjistrin civil e kadastrën, cfarë propozoi në takim Beogradi në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë.

“Ne presim shumë që të zgjidhim problemet e mëdha që qendrojnë midis nesh, në të gjitha ato cështje që mbeten të hapura. Kjo do të thotë se po përpiqemi të trajtojmë tema të cilat ushtrojnë një presion ndaj njerëzve në Kosovë dhe po flasim sidomos për komunitetin serb. Ne do të përpiqemi që të lëmë pas dallimet tona të mëdha mbi statusin e Kosovës. Por, sigurisht që rregullimi i marrëdhënieve tona me Prishtinën do të rezultojë në përfundim të këtij dialogu”, ka deklaruar Stefanovic.

Ndërsa Edita Tahiri është shprehur: “Të dyja palët përpiqen të jenë konstruktive dhe kanë sukses për këtë. Mendoj se ne po mundohemi të jemi krijues për cështjet në diskutim. Kemi nisur me tema të tilla si regjistri civil dhe kadastra dhe do bisedojmë mbi lëvizjen e lirë dhe mekanizmat e bashkëpunimit rajonal”.

“Ishte hera e parë pas shumë, shumë viteve që ne patëm shansin të negocionim ballë për ballë. E më duhet të them se kishte propozime shumë të mira e konstruktive, vecanërisht nga ana jonë, pasi ne erdhëm të mirëpërgatitur për këtë dialog dhe sigurisht presim palën tjetër që të përgjigjet mbi këto propozime”, ka shtuar Stefanovic.

“Përsa i takon palës sonë, ne duam vërtet të jemi konstruktivë dhe t’i kontribuojmë përparimit për të zgjidhur dallimet tona në cështjet praktike. Ky është një dialog teknik e do të qendrojë i tillë”, ka vijuar ndër të tjera Tahiri.

Takimi i radhës për dialogun Prishtinë- Beograd pritet të mbahet në selinë e Këshillit të BE-së gjatë javës së fundit të muajit mars.

Top Channel