Tsunami godet Japoninë

11/03/2011 08:15

Një tërmet i fuqishëm goditi gjatë mëngjesit pjesën verilindore të Japonisë dhe krijoi një tsunam i cili ka shkaktuar dëme të mëdha materjale.

Televizionet japoneze treguan sot në mëngjes se makina dhe anije kishin përfunduar në mes të qyteteve nën ujë në provincën e Fukujamës, pas tërmetit me magnitudë 8,8.

Zyrtarët japonezë lajmërojnë për mundësinë që një valë e lartë gjashtë metra të godasë bregun në orët e ardhshme. Nuk ka ende njoftime për viktima, por dëmet materjale janë të mëdha.

Tërmeti goditi në orën 6:46 me orën shqiptare dhe është pasuar nga një seri tërmetesh të tjerë të vegjël. Epiqendra e tij ishte 373 kilometra larg Tokios, por banorët i ndjenë lëkundjet e fuqishme. Tërmeti plasariti ndërtesat dhe rrëzoi makinat nga urat.

Ndërkohë, pjesë të dallgës së tsunamit vërshuan si llavë në tokat e mbjella, duke futur në to varka dhe duke vënë përpara shtëpi dhe kamionë.

Në Tokio turma njerëzish u mblodhën nëpër rrugë dhe u përpoqën të lidheshin me të afërmit përmes telefonit. Gjithashtu, tërmeti i shoqëruar nga tsunami ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë në pothuajse 4 milionë shtëpi në Tokio dhe në zonat përreth. 

Top Channel