Berisha lancon planin rajonal

11/03/2011 14:45

Kryeministri Sali Berisha e ka hapur mbledhjen e Komitetit të posacëm për zhvillimin rajonal duke shprehur ngushëllimet e tij për Japoninë, që u godit nga një seri tërmetesh dhe një tsunam.

“Tërmeti 8.9 ballësh ka goditur Japoninë. Shprehim solidaritetin më të madh me qeverinë e Japonisë. Të lutemi që të ketë sa më pak viktima”, është shprehur Berisha.

Ndërsa duke u fokusuar tek problemet e vendit, kryeministri ka njoftuar lëshimin e grantit rajonal, që sipas tij bën të mundur shpërndarjen në komuna të 380 projekteve.

“Këto projekte përfshijnë rrugë dytësore, fshatra e komuna, lagje qytetesh, shkolla, kanalizime e ujësjellësa. Pra, në tërësi këto janë projekte me të cilat ne bëjmë një hap në përmirësimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, kjo shpërndarje bëhet mbi bazën e kritereve të reja, të shpallura publikisht, të drejta dhe të ndershme.

“Për arsye të mirëkuptueshme, qeveria ka përparësuar gjatë viteve të shkuara rrethe të tëra dhe kjo ka qenë e pashmangshme. Nuk mund të mos përparësohej ultësira bregdetare, pasi pa një infrastrukturë të pranueshme e moderne, potenciali turistik i vendit nuk mund të zhvillohet. Nga ana tjetër ka dyfishim të eksportit të zarzavateve, duhet të rritet sipërfaqja e serave të diellit. Këto politika kanë qenë të drejta”, ka sqaruar Berisha.

Një tjetër prioritet i përmendur prej tij ka qenë lufta kundër varfërisë, për të cilën qeveria ka hartuar politika të posacme.

“Me shpërndarjen e fondeve një peshë ka marrë varfëria. Vetëm këtë vit INSTAT do të fillojë përllogaritjen në rajone të GDP-së, që në mënyrë të padiskutueshme do të jetë në diferenca të mëdha. Në studimin që i është bërë varfërisë nga Banka Botërore, mesatarja e vendit shkon në 12 për qind, pasi kemi zona varfërie. Politikat e qeverisë synojnë që këto dallime të shkojnë drejt ngushtimit”, ka nënvizuar Berisha, i cili është shprehur optimist mbi efektet e këtij plani dhe për pranimin e tij nga ana e opozitës.

“Prandaj, me këtë ndarje që bëhet sot, ne përmbushim kriteret dhe japim mundësi të nisin punimet në 380 rrugë, ujësjellësa, shkollë e kanalizime. Këto do të ndikojnë pozitivisht në hapjen e vendeve të punës, në shkollimin, etj. Shpresoj që qeveritë vendore ta vlerësojnë këtë hap tërësisht neutral”, ka shtuar Berisha.

Top Channel