Japonia në zonën e tërmeteve

11/03/2011 15:40

Brezi i Paqësorit aty ku shtrihet vargu i ishujve të Japonisë, është zona më sizmike e globit. Aty bien 80 përqind e numrit të përgjithshëm të tërmeteve.

Kjo ndodh për shkak se në këtë pikë takohen dy nga 8 pllakat tektonike nga të cilat është e ndërtuar korja e tokës.

Siç duket edhe nga pamjet e Google Earth, pranë Japonisë është pika e takimit të dy pllakave të mëdha.

Pllaka e euroazisë i mbivendoset pllakës së paqësorit dhe lëvizja shkakton energji shumë të madhe që përkthehet në tërmete.

Me shenja të kuqe janë zonat ku kanë rënë tërmetet në vazhdimësi, tërmete që arrijnë deri në 8.9 të shkallës Richter, siç ishte ai që goditi së fundmi Japoninë dhe që shkaktoi cunamin shkatërrimtar.

Është pikërisht kjo zonë e Japonisë lindore që është goditur vazhdimisht nga lëkundjet e tokës dhe cunamet të cilat janë përhapur në gjithë paqësorin.

Me shenjë të verdhë është zinxhiri vullkaneve që shpërthejnë përgjatë vijës së përplasjes së pllakave tektonike.

Janë këta vullkane në tokë dhe në det përgjegjës për krijimin e vargjeve të ishujve në Oqeanin Paqësor.

Vargu i zonës sizmike nis nga Alaska ku tërmetet dhe vullkanet vijojnë përgjatë Rusisë lindore, Japonisë e zbresin deri përtej Zelandës së Re. Një tjetër zonë vijon përgjatë Malajzisë, Indonezisë dhe më thellë në Azi.

Në këto vija përplasen pllakat tektonike shumë aktive, ato janë në zonën e kores së tokës dhe kanë një trashësi nga 150 deri në 220 kilometra, ndërsa në oqean shtresa është 70 kilometra.

Pllakat janë të vendosuar mbi astenosferë.

Astenosfera është plastike dhe vepron si një shtresë lubrifikante nën litosferë.

Pllakat tektonike janë të ngurta dhe përcjellin tensionin që krijohet nga përplasja duke shkaktuar tërmete.

Brezat kryesore janë Brezi i Paqësorit ku kemi 80 përqind të numrit të përgjithshëm të tërmeteve.

Brezi Alpin, që fillon nga Alpet deri tek Himalajet dhe kurizorja mesoqeanike.

Top Channel