Japoni, më shumë se 1 mijë të vdekur

11/03/2011 18:50

Mund të jenë më shumë se 1 mijë viktimat e tërmetit të dhunshëm dhe tsunamit që sot goditën Japoninë.

Lajmin e ka bërë të ditur agjencia zyrtare japoneze e lajmeve, Kyodo.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se nga të dhënat paraprake, janë shkatërruar 1800 shtëpi në prefekturën e Fukushimës.

Bilanci i dëmeve materiale është gjithashtu katastrofik. Fshatrat janë shkatërruar nga uji, ndërkohë që njerëzit vazhdojnë të jenë të tmerruar për shkak të lëkundjeve të tërmeteve që nuk janë ndërprerë.

Qeveria japoneze ka nisur një operacion masiv kërkim-shpëtimi, duke angazhuar edhe forcat e armatosura.

Gjithësej janë mobilizuar mijëra trupa, si dhe 300 avionë dhe 40 anije ushtarake, bën të ditur agjencia “Kyodo News”.

Ndërkohë, skuadra shpëtimi nga Koreja e Jugut, Australia, Zelanda e Re dhe Singapori pritet të mbërrijnë më vonë.

Ndërsa presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se një aeroplanmbajtëse amerikane ndodhet tashmë në brigjet e Japonisë për të ofruar ndihmën e saj.

Tërmeti 8.9 ballë i ditës së djeshme ishte 8 mijë herë më i fuqishëm se ai që ra muajin e kaluar në Zelandën e Re dhe që shkatërroi qytetin Kristcërc, kanë deklaruar studiuesit.

Top Channel