Tsunami, apokalips në Japoni

11/03/2011 19:40

Tërmeti që goditi brigjet verilindore të Japonisë solli më vetë edhe cunamin, një dallgë 10 metra të lartë që mori çfarë gjeti përpara, anije, ndërtesa dhe makina në Sendai. (UPDATE)

Megjithëse vendi çdo ditë regjistron lëkundje, tërmeti i fundit ishte i tmerrshëm. Përballë panikut dhe pasojave qe me kalimin e orëve shihen më qartë, kryeministri japonez Naoto Kan bën thirrje për qetësi. Ndërsa forumet në internet kanë folur për datën e mallkuar, 11 duke e lidhur me sulmet e 11 shtatorit dhe ato të 11 marsit të 2004-s, në Atoca të Spanjës.

Lëkundja e fortë prej 8.9 ballë e shkallës Richter goditi në orën 14.46 me orën lokale në një thellësi rreth 24 km. Dallgët e larta goditën prefekturat e Miagit dhe Fukushimas.

Fill pas kësaj edhe alarmi për cunami në të gjithë Paqësorin deri në Veri dhe në Amerikën e Jugut. Siç raporton agjencia Reuters, dallgët ishin më të larta se disa ishuj të Paqësorit.

Nuk mund te flitet ende për një bilanc të viktimave, por policia japoneze flet për 200 apo 300 të vdekur, trupat e të cilëve janë gjetur në brigjet e qytetit-port të Sendait, në prefekturën e Miagit.

Të paktën 90 persona raportohen të vdekur dhe shumë të tjerë janë të zhdukur.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raportoi se një tren me një numër të pacaktuar pasagjerësh në bord konsiderohet i humbur, në një zonë bregdetare.

Një anije me 100 persona, sipas policisë së Miagit, nuk dihet se ku ka përfunduar. Fermat përreth Sindait janë mbuluar nga dallgët dhe pamjet tregojnë se si avancojnë, të rënduara nga mbetjet e shkatërrimit.

Rreth 3 mijë persona u shpërngulen nga zona pranë impiantit të energjie në Fukushima, ku është vendosur gjendja e jashtëzakonshme. Sistemi i ftohjes ndaloi së funksionuari automatikisht si pasojë e tërmetit.

Kryeministri japonez Naoto Kan garantoi se nuk ka patur rrjedhje. Agjencia bërthamore e OKB-së tha se katër impiante bërthamore janë mbyllur. Në prefekturën e Ivatës, në afërsi të epiqendrës, një zyrtar tha se është e vështirë të masësh pasojat e shkatërrimit. Tërmeti shkaktoi edhe një zjarr në një rafineri nafte në qytetin e Ichihara, në prefekturën e Cibas në afërsi të Tokios. Flakët këtu vazhdojnë ende.

Banorët e kryeqytetit vrapuan të dilnin nga ndërtesat e larta për të qendruar në vende të hapura, pas lëkundjeve të tjera vijuese. Rreth 4.4 milionë shtëpi në Tokio kanë mbetur pa energji elektrike.

Zonat bregdetare në Filipinë dhe në pjesë të tjera të Paqësorit u shpërngulën përpara mbërritjes së cunamit. Dallgët e para, nën një metër lartësi goditën Haëain, por pa shkaktuar dëme. Raportohet që dallgët e para mbërritën edhe në Oregon të Shteteve të Bashkuara dhe banorët u shpërngulën nga zonat bregdetare të këtij shteti, po kështu edhe në Kaliforni e Uashington. Shërbimi Kombëtar i motit në Shtetet e Bashkuara parashikon dallgë që do të arrijnë deri në 2 metra.

Librat e historisë flasin për shtatë tërmete të regjistruar nga 8.0 ballë të Richterit, prej vitit 1891 në Japoni. Ky është më i forti në 140 vjet dhe çfarë vjen pas tyre janë lëkundjet e tjera. Pas goditjes së sotme, gjashtë tërmete të tjerë u ndjenë brenda një ore e 15 minuta, që ishin sa tërmeti i fundit në Krajst Cërc të Zelandës. Me e forta e pas-goditjes ishte 7.1 ballë e shkallës Richter.

Top Channel