Shpërthim i dytë në Fukushima

14/03/2011 09:10

Asaj që i druheshin të gjithë në Japoni ndodhi. Një shpërthim i dytë u regjistrua në reaktorin 3 të Fukushimas, dy ditë pasi flakët përfshinë reaktorin 1, fill pas tërmetit prej 9 ballësh që goditi brigjet veri-lindore të Japonisë.

Punonjësit në central thonë se të paktën shtatë persona kanë humbur dhe tre të tjerë u plagosën nga shpërthimi.

Agjencia për Sigurinë Bërthamore në Japoni tha se shpërthimi ka ndodhur nga grumbullimi i hidrogjenit.

Zyrtarët shpjeguan se bërthama e reaktorit është ende e paprekur dhe nivelet e radioaktivitetit janë nën limitet e pranuara.

Teknikët po luftojnë prej tre ditësh të ftohin tre reaktorët e centralit Fukushima 1.

Pavarësisht shpërthimit, vazhdon të injektohet ujë deti në të gjithë reaktorët për të ndihmuar në ftohjen e shufrave me lëndë djegëse.

Sipas zëdhënësit të ekzekutivit Jukio Edano, mundësia është shumë e vogël për rrjedhje radioaktive, pas shpërthimit të dytë.

Ekspertët janë të mendimit se një tragjedi si ajo e Cernobilit në vitin 1986 nuk do të ndodhë sepse reaktorët janë ndërtuar me standarde të larta, me shumë masa sigurie.

Policia japoneze tha se deri tani konfirmohet vdekja e e 1597 personave, por bilanci përfundimtar mund të jetë shumë më i lartë.

Top Channel