Japoni, ndotje e kufizuar radioaktive

14/03/2011 21:20

Ndotja përreth reaktorit bërthamor të Fukushimës është e kufizuar dhe ende në nivele të tolerueshme, por autoritetet pranuan për herë të parë se kriza mund të përshkallëzohet.

Sekretari i Kabinetit, Yukio Edano, pranoi se janë regjistruar nivele të radioaktivitetit përreth perimetrit të Fukushimës, por ai nuk saktësoi nivelin e saktë, ndërsa asnjë korrespondent i huaj nuk lejohet të afrohet pranë zonës.

Edano pranoi se ka patur shenja të shkrirjes së materialit radioaktiv, çka do të shkaktonte një katastrofë të vërtetë në rritje të jashtëzakonshme të niveleve radioaktive, por ekspertët janë optimistë për mundësinë e mbajtjes së situatës nën kontroll.

Dy reaktorë të centralit të Fukushimës kanë shpërthyer, por veshjet e çelikut kanë mbajtur brenda materialet toksike. Situata është shumë më shqetësuese në reaktorin e tretë, ku këto veshje besohet se janë dëmtuar dhe shpërthimi do të lëshonte përreth nivele të larta radioaktiviteti.

Tërmeti më i fortë në historinë e Japonisë dëmtoi sistemin e ftohjes së reaktorëve të Fukushimës, duke krijuar mbinxehje dhe si rrjedhojë shpërthime.

Një luftanije amerikane devijoi më parë gjatë ditës nga rruga e saj, pasi ndeshi në nivele të ulta radioaktiviteti, 160 kilometra larg brigjeve të Japonisë.

Top Channel