Kriza humanitare në Japoni

15/03/2011 01:25

Banorët e zhvendosur në zonat e goditura nga tërmeti në Japoni kanë nevojë urgjente për ushqime, ilace dhe strehë.

Gazetarët nga terreni njoftojnë për krizë humanitare dhe për njerëz të plagosur që nuk mund të marrin dot ndihmë mjekësore.

Racione ushqimore të kufizuara, mungesë karburanti, mungesë e ujit të pijshëm, energji elektrike me orare. Kjo është e përditëshmja e fatkeqësisë natyrore na Japoni.

Kriza humanitare po shpaloset në shumë fronte, të plagosur, fëmijë dhe pleq dynden nëpër streha të provizuara, shpesh pa mundësi mjekimi dhe pa ngrohje.

Qytetarët deklarojnë për mediat e ndërkombëtare se ajo ndihmë që është shpërndarë deri më tani ka përmbushur vetëm 10 përqind të nevojave të njerëzve të zhvendosur.

Në fakt, përpjekjet e shpëtimit dhe të ndihmave humanitare janë penguar nga luhatjet e shpeshta të tokës që kanë mbjellë tek njerëzit frikën e një tsunami të ri në rajon. Vetëm të hënën u regjistruan 70 lëkundje të tjera, përfshirë një me magnitudë 6.1 ballë.

Reagimi ndërkombëtar ndaj fatkeqësisë nuk ka munguar. 90 vende u shprehen të gatëshme në këto momente të vështira.

Top Channel