Japoni, shpëtojnë dy vetë nën gërmadha

15/03/2011 11:45

Një grua 70-vjecare dhe një burrë janë gjetur të gjallë nën rrënojat e një ndërtese në prefekturën e Mijagit, 4 ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Japoninë.

Ndërkohë, mësohet se shpërthimi i ndodhur në reaktorin numër 4 të centralit Fukushima 1 ka ardhur si pasojë e hidrogjenit.

Megjithatë, mbetet për t’u zbuluar përse kjo ka ndodhur në një reaktor që në momentin e tërmetit ishte i fikur për arsye mirëmbajtjeje.

Nga ana tjetër, nuk ka konfirmime zyrtare për shpërthime të ndodhura në reaktorët 5 dhe 6 të Fukushima 1.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe ka deklaruar në hapje të samitit të vendeve të G8, se rreziku bërthamor në Japoni është “jashtëzakonisht i lartë”.

Deklaratën e tij shefi i diplomacisë franceze e ka bërë pas një bisede të zhvilluar me homologun japonez, Takeaki Matsumoto.

Ndërsa Kina ka vnedosur të evakuojë qytetarët e saj nga zonat e shkatërruara nga tërmeti japonez, ka bërë të ditur zëdhënësja e Ministrisë kineze të Jashtme, Jiang Yu.

Top Channel