Tsunami trondit bursat ndërkombëtare

15/03/2011 20:35

Pasojat e tërmetit dhe tsunamit tashme janë bërë të dukshme edhe në tregjet financiare ndërkombëtare, ku përhapen “valët sizmike” që fillimisht goditën rëndë bursën e Nikkei të Tokios.

Bursa e Londres është hapur me minus, po kështu ajo e Frankfurtit dhe e Parisit. Në Japoni, rënia që nisi të hënën vazhdoi edhe sot në bursën e Tokios. Nikkei u mbyll me një minus prej 10.5%.

Situata dramatike e shkaktuar nga tërmeti, tsunami dhe kriza bërthamore po detyrojnë qeverinë japoneze të ndërhyjë menjëherë në tregjet e aksioneve.

Ministri i Politikave Ekonomike dhe Fiskale në Japoni, Kaoru Josano foli për një plan të qeverisë, por pa dhënë detaje.

Pyetja që ngrihet është se në çfarë mënyre, qeveria japoneze do të financojë një operacion të tillë, kur përballet edhe me dëmin e shkaktuar nga tërmeti dhe tsunami, pra duhet të parashikojë edhe rindërtimin.

Ekziston frika se Tokio do të shesë sasi të medha letrash me vlerë, të blera më parë nga Europa apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e futur në krizë euron dhe dollarin.

Japonia zotëron mbi 800 miliardë dollarë letrash me vlerë amerikane. Aktualisht, i vetmi sektor që po përfiton nga kjo situatë është ai i energjisë së rinovueshme në të gjithë Europën.

Kjo lidhet me frikën nga rritja e çmimit të naftës, por edhe nga pasojat bërthamore, që pasuan tërmetin dhe tsunamin në Japoni.

Top Channel